Tentohet t’i digjet vetura një polici të Kosovës, nisin hetimet
Një rast i rëndë kanosjeje ndaj një zyrtari policor është raportuar në Pejë, ku persona të panjohur kanë tentuar të djegin veturën e tij, duke lënë pas edhe mesazhe të koduara.
Burimet e Sinjalit mësojnë se më 30 maj 2025, rreth orës 23:30, zyrtari policor (emër i njohur për redaksinë), i cili gjendej jashtë detyrës zyrtare, ka raportuar në Stacionin Policor një ngjarje shqetësuese. Sipas dëshmisë së tij, pasi ishte kthyer në banesën ku jeton, së bashku me babain, ai kishte ndier erë benzine në afërsi të veturës së tij, një Opel me ngjyrë të hirtë.
Pas kontrollit, ai kishte vërejtur se pjesa e përparme e veturës, përfshirë haubën dhe mbrojtësit anësor, ishin lyer me benzinë, ndërsa në tokë poshtë automjetit kishte derdhje të njëjtë. Më tej, i njëjti kishte gjetur dy fletë të vendosura pranë veturës – njëra me një skicë të parkingut të banesave, tjetra me pjesë të vizatuara të veturës – të cilat ishin djegur pjesërisht, duke ngritur dyshime serioze për tentativë të organizuar djegieje.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet hetimore dhe krim-teknika për ekzaminim.
Pas analizës së situatës dhe veprimeve të mëtejme hetimore më 31 maj, në koordinim me Prokurorin, rasti është iniciuar si “Kanosje”, që përfshin veprën penale ndaj personave zyrtarë.
Aktualisht, personat e dyshuar janë ende të panjohur, ndërsa hetimet janë intensifikuar me angazhimin e të gjitha njësive përkatëse në terren për identifikimin e autorëve.