Tentim vrasje në Podujevë: Theret me thikë në gjoks 22-vjeçari pas një mosmarrëveshje në trafik
Një mosmarrëveshje në komunikacion përfundoi me plagosje sot mbrëmë në Podujevë. Dy persona u konfrontuan në trafik, në fshatin Gllamnik, me ç’rast njëri theri tjetrin me thikë. Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për një 22-vjeçar, i cili tashmë po trajtohet në QKUK.
Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur i dyshuari dhe viktima ishin me veturat e tyre duke lëvizur, kur papritmas i dyshuari e tejkaloi dhe ia zuri rrugën, e më pas nxori thikën. Aty, viktima u godit me thikë në gjoks nga i njëjti dhe më pas iku nga vendi i ngjarjes.
Viktima, i cili ndodhej me miq, u dërgua me urgjencë në spital, ku pas ndihmës së parë në Podujevë është transportuar për në QKUK, ku po trajtohet. Burimet nga Emergjenca kanë njoftuar se gjendja e tij shëndetësore është mjaft e rëndë.
Derisa i riu po merr trajtim, Policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur personin e dyshuar në lidhje me këtë rast. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “vrasje në tentativë”.