Tentim vrasja në Graçanicë: Dorëzohen në Polici dy të dyshuarit pas një viti në arrati, zbulohet identiteti i tyre

Pas më shumë se një viti në arrati, Policia ka arritur t’i zbulojë edhe dy të dyshuar që janë  përfshirë në një rast të tentim vrasjes që ka ndodhur në fund të muajit janar të vitit të kaluar, te moteli Delfini në Graçanicë. Të dyshuarit kanë vendosur të dorëzohen vet në Polici, pasi u ftuan për t’u paraqitur lidhur me këtë rast, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ditjon Temaj, 23-vjeçar dhe Islam Ramaj, 31-vjeçar, të cilët tashmë ndodhën nën masën e ndalimit policor.

Sinjali mëson se pasi u dorëzuan në Polici, të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me veprat me të cilat ngarkohet. Temaj dyshohet për “Vrasje në tentativë”, kurse Ramaj dyshohet t’i ketë dhënë ndihmë pas kryerjes së veprës penale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor, pritet të ndërmerren edhe veprimet Të tjera hetimore.

Kujtojmë se rasti kishte ndodhur më 27 janar 2022, kur të dyshuarit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një veture që ishte në lëvizje.

Lexo edhe:  Podujevë: Burri e kërcënon bashkëshorten dhe e dëbon nga shtëpia, përfundon në ndalim policor