Tentim vrasja e 35 vjeçarit mbrëmë në Mitrovicë, këta janë dy të dyshuarit

Konflikti i mëhershëm po dyshohet se ishte motiv i plagosjes së një 35-vjeçari, mbrëmë në Mitrovicë. Dy persona të dyshuar për tentim vrasjen po kërkohen nga Policia dhe tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Të shtënat me armë që u dëgjuan në rrugën “Hasan Prishtina” u shkrepën në drejtim të viktimës, i cili mbeti i plagosur në këmbë.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat e dyshuar për përfshirje në këtë rast janë Fitim Xhema dhe Arian Xhema – të cilët ende nuk janë prangosur.

Për shkak të një mosmarrëveshje, rast ky që po hetohej nga Policia, të dyshuarit e kanë plagosur viktimën dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me veturën e tyre.

Viktima u dërgua në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, ndërsa lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e tij.

Ndërkohë, Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme – me ç’rast është është sekuestruar një veturë dhe janë siguruar prova të tjera.

Lidhur me rastin, të njëjtat burime thonë se janë marrë deklaratat e disa dëshmitarëve okularë, që kanë rrëfyer për rastin që kishte ndodhur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.

Lajmi është konfirmuar për Sinjalinedhe nga Policia Rajonale në Mitrovicë.

 “Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime pasi që dyshohet se dy të dyshuar kosovarë për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës dhe pastaj të dyshuarit me veturë janë larguar në drejtim të panjohur.

Lidhur me rastin viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve kompetent gjendja e tij është stabile, ndërsa lëndime të lehta ka pësuar edhe viktima femër të cilës po ashtu i është ofruar tretman mjekësor. 

Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë sekuestruar veturën e viktimës për ekzaminim, ndërkohë që lidhur me rastin është informuar dhe konsultuar edhe prokurori. Rasti duke u hetuar” – kanë bërë të ditur nga Policia

Lexo edhe:  Vjen paralajmërimi i SBASHK-ut, nga ky muaj fillon greva