TELEFONATA SPECIALE Rubin: Clinton u impresionua nga biseda me Thaçin
James Rubin, ish-diplomat amerikan, ka rrëfyer një telefonatë të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, me Hashim Thaçin, atë botë përfaqësues politik i UÇK-së, duke thënë se Clinton u impresionua nga biseda me Thaçin.
Këto komente, Rubin i bëri në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pasi që u pyet nga gjykatësi në lidhje me telefonatën e Thaçit me Clinton-in.
“Kujtoj se, edhe pse kanë kaluar 20 vjet, mbaj mend se pas kësaj, përmes Sandy Berger, që ishte këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit Clinton, mora vesh se Clinton ishte impresionuar që po fliste me një udhëheqës të UÇK-së në një ambient lufte, kur populli i tij sapo kishte pësuar vrasje, deportime dhe tmerre të mëdha”, tha Rubin.
Pavarësisht kësaj, ish-diplomati amerikan theksoi se Thaçi “bëri një deklaratë – pa qenë i shtyrë – para presidentit Clinton, duke dhënë mesazhin që ne donim të transmetohej në botë”.
“Dhe kur i thua diçka Presidentit të SHBA-së, kjo ka shumë rëndësi. Kujtoj që presidenti Clinton i kishte thënë Sandy Berger se kishte mbetur i impresionuar nga kjo, dhe kjo përfshinte minimizimin e dhunës hakmarrëse, pra që të mos përgjigjeshin ndaj dëmit të shkaktuar popullit të Kosovës me akte hakmarrjeje, tani që forcat serbe po largoheshin nga Kosova dhe NATO po merrte kontrollin. Dhuna e tillë hakmarrëse mund të kishte ndodhur. Presidenti Clinton u impresionua, ia përcolli këtë Bergerit, dhe Bergeri, sipas kujtimit tim, ma tha mua”, shtoi.