Telashe mes çiftit në Fushë Kosovë, gruaja përfundon në spital pas dhunës nga burri i dehur

Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha qytetarëve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme. E kjo shpesh del të jetë edhe një ndër shkaktarët kryesorë të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë që maltretohen psiqikisht e fizikisht nga bashkëshortët, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi një grua në Fushë Kosovë, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se 42-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore si pasojë e dhunës së përjetuar nga bashkëshorti i saj, i cili në gjendje të dehur fillimisht e kishte ofenduar e më pas e kishte sulmuar fizikisht.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili ka rezultuar në gjendje të dehur, sipas rezultatit në alkooltest.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Gjendet i vdekur një person në stacionin e trenit në Mitrovicë