Të shtënat në aheng zbulojnë arsenal armësh në Suharekë – ndalohen tre të dyshuar

Një aheng familjar në fshatin Semetisht të Suharekës ka përfunduar me ndalimin e tre personave, pasi në vendngjarje janë regjistruar të shtëna me armë zjarri, duke rrezikuar seriozisht sigurinë publike.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 06 gusht 2025, rreth orës 13:30, Stacioni Policor në Suharekë ka pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një dasmë.

Sektori i Hetimeve ka identifikuar lokacionin dhe gjatë intervistimit, pronari i shtëpisë ka pranuar se shtënat janë bërë nga mysafirët e tij, të cilët kishin ardhur nga fshati Dragobil i Malishevës.

Në vendin e ngjarjes, Policia ka sekuestruar: 16 gëzhoja, përkatësisht, 5 të kalibrit 7.65 mm, 8 të kalibrit 9 mm, 3 të armës me gaz, kalibër 9 mm.

Pas identifikimit të të dyshuarve, janë sekuestruar gjithashtu: Pistoletë “Sig Sauer”, kal. 9 mm, Pistoletë TT M-57, kal. 7.65 mm, Pistoletë me gaz, lloj i panjohur, kal. 9 mm si dhe 3 karikatorë dhe 3 fishekë me gaz.

Të dyshuarit: Behar Paqarizi, Berat Paqarizi, Visar Paqarizi janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit  janë ndaluar për 48 orë.

Ndaj tyre janë iniciuar hetime për veprat penale: “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Hetimet janë në zhvillim.

Lexo edhe:  I shtrirë në aeroport, çfarë po ndodh me Butrint Imerin?