Të shtënat me armë trazojnë banorët e Prishtinës, Policia gjen pesë gëzhoja në vendngjarje

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.

Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Disa të shtëna me armë janë dëgjuar edhe dje pasdite në rrugën ‘Llapi’ në Prishtinë, me ç’rast dikush nga banorët e asaj zone ka njoftuar menjëherë Policinë.

Sinjali mëson se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në vendngjarje janë gjetur pese gëzhoja që dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast, teksa janë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë që monitorojnë atë hapësirë, ku janë parë dy persona të dyshuar.

Pas veprimeve hetimore është arritur që të identifikohet vetura e të dyshuarve, ndërsa të dyshuarit s’janë kapur ende.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar për veprat ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Përdorim i armës’.

Lexo edhe:  Policia e Kosovës bën 25 vjet, në kampin "Enver Zymberi" në Mitrovicë organizohen lojëra shahu