Të shtëna me kallash në lagjen “B-Muharem Fejza” – Aktivizohet “Unaza e Çelikt”, dy persona në kërkim
Një ngjarje e dyshimtë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Prishtinë.
Më 12 maj 2025, rreth orës 23:55, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “B-Muharem Fejza”. Dyshohet se armët e përdorura ishin të tipit kallashnikov.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se dy persona të armatosur me kallash kanë ikur në këmbë në drejtim të rrugës “Prekazi”. Të dyshuarit ishin të veshur me rroba të zeza.
Pas marrjes së informacionit, janë njoftuar të gjitha njësitë policore dhe është aktivizuar operacioni “Unaza e Çelikt”. Kontrollet në terren janë intensifikuar.
Sipas një informacioni shtesë, në ora 23:58 një qytetar ka kontaktuar sërish policinë duke njoftuar se ka parë dy persona me përshkrim të njëjtë në rrugën “Prekazi”, kësaj radhe pa armë në duar.
Forcat policore janë në terren dhe po kryejnë kontrolle intensive për kapjen e të dyshuarve. Deri në këto momente nuk raportohet për të lënduar.