Të shtëna me armë zjarri në Obiliq, plumbi përfundon në ballkonin e një shtëpie
Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Një predhë e plumbit ka përfunduar sot në ballkonin e një shtëpie në rrugën ‘Janina’ në Obiliq, por që nuk dihet se nga ka ardhur.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se kjo ngjarje ka shqetësuar tej mase banorët e shtëpisë, të cilët kanë njoftuar Policinë lidhur me rastin.
Bazuar në dëshminë e 31-vjeçarit që denoncoi rastin, derisa kishin qenë duke ndenjur me familjen, kanë dëgjuar një zhurmë dhe më pas kanë parë që plumbi ka goditur kornizën e dritares në ballkon.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë gjetur dhe konfiskuar gëzhojën e cila dyshohet të jetë e armës që u përdor në rast, ndërsa momentalisht nuk ka persona të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.