Të shtëna me armë zjarri mes dy grupeve në Prishtinë, arrestohen pesë persona
Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar pas një incidenti me të shtëna me armë zjarri që ka ndodhur sot në Rrugën e Gjilanit, në Prishtinë. Sipas njoftimit zyrtar, policia ka reaguar menjëherë pas pranimit të informatës, duke angazhuar njësitet relevante operative.
Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë nga Stacioni Jugu dhe Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit kanë arrestuar fillimisht katër të dyshuar dhe kanë sekuestruar armët e përdorura. Pas veprimeve të mëtejme hetimore, është identifikuar dhe arrestuar edhe personi i pestë, nga i cili po ashtu është sekuestruar një armë zjarri. Të dyshuarit, pas intervistimit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin për veprat penale që lidhen me përdorimin dhe posedimin e paautorizuar të armëve, si dhe posedimin e narkotikëve.
Njoftimi:
Policia e Kosovës sot ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në Rrugën e Gjilanit, në Prishtinë, dhe menjëherë ka reaguar duke angazhuar njësitet përkatëse policore.
Zyrtarë policorë nga Stacioni Jugu dhe nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale kanë arrestuar katër persona të dyshuar dhe kanë sekuestruar armët e përdorura në këtë rast.
Pas veprimeve të mëtejme hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë edhe personin e pestë të dyshuar, nga i cili është sekuestruar një armë zjarri.
Personat e dyshuar, pas intervistimit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.

