Të shtëna me armë në Mramor të Prishtinës, Policia zbarkon në një shtëpi

Të shtënat me armë në ahengje të ndryshme në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i të shtënave ka ndodhur edhe mbrëmë në Mramor të Prishtinës, ku disa të rinj ishin mbledhur në një shtëpi, për një rast ditëlindjeje, që e festuan duke gjuajtur edhe me armë. Sinjali mëson se njëri prej tyre ka gjuajtur disa herë me armë zjarri në shenjë gëzimi.

Por festa me armë iu kushtoi atyre, pasi dikush e denoncoi rastin në Polici dhe si rezultat një njësi policore intervenoi në vendin e ngjarjes, ku u gjetën gjashtë gëzhoja dhe arma që dyshohet se u përdor nga i dyshuari.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa provat e gjetura janë konfiskuar nga zyrtarët policorë, si dëshmi lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprat penale “Përdorimi armës” dhe “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.

Lexo edhe:  Pejani kapet në flagrancë teksa ia merr "pazarin" një lypësari (VIDEO)