Të shtëna me armë në lagjen Matiçan – 23-vjeçari pranon se shtiu me armë gazi, Policia i sekuestron armën dhe fishekët

Posedimi i armëve është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to. E këto raste bëhen akoma më të rënda kur përfshihen të miturit, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast tjetër i tillë është regjistruar mbrëmjen e së martës në lagjen Matiçan të Prishtinës, duke alarmuar banorët e zonës.

Ngjarja ka ndodhur më 29 korrik 2025, rreth orës 21:00, në rrugën “Papa Gjon Pali”, ku qytetarët raportuan për të shtëna me armë zjarri. Njësitë relevante të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur dhe shoqëruar personin e dyshuar: Dren Dërvodeli, rreth 23-vjeçar.

I dyshuari ka deklaruar gjatë intervistimit në Stacionin Policor se kishte shtënë me armën e tij me gaz, e cila më pas është gjetur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes, bashkë me katër fishekë të dyshuar me gaz dhe gëzhojat e shkrepura.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit kujdestarë dhe krim-teknikët, ndërsa me urdhër të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rasti me dy vepra penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.

Lexo edhe:  Dëshmitarja serbe në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëshmon pa e mbuluar fytyrën