Të shtëna me armë në aheng familjar në Pejë – tre persona në hetim, njëri kapet me gëzhojë në xhep

Një tjetër rast që ndërlidhet me përdorimin e armëve të zjarrit në ambiente të populluara është regjistruar të mërkurën mbrëma në qytetin e Pejës, ku disa persona kanë shtënë me armë gjatë një ahengu familjar

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 23 korrik 2025, pas orës 23:00, në rrugën “Asllan Pushka”, është raportuar për të shtëna armësh në një tubim familjar.

Në vendin e ngjarjes ka dalë patrulla policore, e cila ka kontaktuar me të dyshuarin e parë, Fitim Latifi, i cili ka pranuar se ka shtënë me një armë me gaz, të cilën e kishte ruajtur në garazh, bashkë me 22 fishekë gazi. Të gjitha janë sekuestruar nga njësia e krim-teknikës.

Ndërkohë, gjatë sigurimit të vendit të ngjarjes, një tjetër i dyshuar, Beqir Gacaferi , është vërejtur duke mbledhur diçka nga toka. Pas një kontrolli fizik, në xhepin e tij është gjetur një gëzhojë kalibri 7.62 mm.

Më pas, është identifikuar edhe Flurim Latifaj, i cili po ashtu ishte duke mbledhur gëzhoja në vendin e ngjarjes.

Të tre personat janë shoqëruar për intervistim, ndërsa Prokurori Kujdestar ka urdhëruar që ata të lirohen në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre është iniciuar rasti për: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Hetimet po vazhdojnë nga njësia përkatëse në Pejë.

Lexo edhe:  Artan Hajrizi thotë se është në Gjermani: Mi vodhën dokumentet