Të rinjtë ‘merakli’ të armëmbajtjes pa leje, një 28-vjeçar thotë se posedon armë për shkak se mban shumë para

Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Vetëm në 24 orët e fundit janë zbuluar disa raste të tilla, në Lipjan e Prishtinë.

Fillimisht, në fshatin Vërshevc të Lipjanit është kryer bastisje në një shtëpi, pas denoncimit të një gruaje. Ajo ka deklaruar se djali i saj e ka marrë armën që e kishte tarshëgim nga bashlëshorti, pa lejen e saj. Nga frika se mund të ndodhë diçka, ajo ka kërkuar ndihmën e Policisë. Posa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarje, arma është konfiskuar dhe ndaj të dyshuarit është iniciuar rast.

Ndërkohë në rrugën Ilir Konushevci në Prishtinë Policia e ka kapur një person me armë të ftohtë, thikë, pasi fillimisht u raportuar një rast i përleshjes. Sinjali mëson se të dyshuarit që iu gjet thika ishte i përfshirë në përleshje bashkë me disa persona të tjerë. Edhe ndaj tij është hapur rast me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Bastisje Policia ka kryer edhe në një shtëpi në rrugën Rrahman Bahtiri në Prishtinë, në orë e mëngjesit, ku ka gjetur një armë. Kontrolli është kryer me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit, ku përveç armës, janë gjetur dhe konfiskuar edhe mbi 40 fishekë. I dyshuari për rastin është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe është urdhëruar inicimin i rastit për posedim të paautorizuar të armëve.

Kurse rasti i fundit, sipas burimeve të Sinjalit është zbuluar në rrugën “Isa Boletini” në Dardani, ku një njësi policore, derisa po patrullonte në një pikë kontrolli, ka ndalur një veturë, ku u gjetën armë e fishekë.

Lexo edhe:  Cilat janë kriteret për subvencionim me nga 300€ për punëtorët?

I dyshuari për rastin ka deklaruar para zyrtarëve policorë se armën e mban për siguri, për shkak të shumave të mëdha të parave që mban. Pavarësisht kësaj, posedimi i paautorizuar i armës është i kundërligjshëm dhe si rezultat arma është konfiskuar. Ndaj të dyshuari, me urdhër të Prokurorit është hapur rast për veprën penale “Mbajtje ne pronësi , kontroll ose posedim te paautorizuar te armëve”.