“Të ndihmojmë gratë e luftës” – Premtimi mashtrues që u kushtoi 45 mijë euro – Tre burra në pranga të policisë

Një skemë e rëndë mashtrimi që godet drejtpërdrejt viktimat më të ndjeshme të luftës është zbuluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Burime të besueshme të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se tre persona dyshohen se kanë mashtruar dhjetëra gra të rikthyera nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, duke u paraqitur si përfaqësues të një “donatori ndërkombëtar” që ofronte ndihmë për integrimin e tyre në shoqëri.

Në fakt, gjithçka ishte një mashtrim i mirëorkestruar për të përfituar nga vuajtja dhe izolimi i tyre social.

Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë Ragip Delija, rreth 66-vjeçar, Valmir Gashi, rreth 46-vjeçar – zyrtar në një institucion mikrofinanciar dhe Astrit Haxhidauti, rreth 61-vjeçar – menaxher i po të njëjtit institucion

Të tria figurat kishin role të qarta në skemën mashtruese, që nisi me identifikimin e viktimave dhe përfundoi me kreditë e pashlyeshme në bankë.

Si funksiononte skema:

Ragip Delija, i njohur për “ndihma humanitare”, i ofronte viktimave një “mundësi për donacion” nga shteti i Bangladeshit për integrimin e grave të luftës në shoqëri. Në fakt, bëhej fjalë për kredi nga një institucion mikrofinanciar me seli në Prishtinë – “Kosovo Gramen Missione Arcobaleno Microcredit Found”.

• Gratë e bindura nënshkruanin kontrata që mendonin se ishin për donacion.

• Valmir Gashi përpilonte dosjet e aplikimit.

• Astrit Haxhidauti i miratonte kreditë në cilësinë e menaxherit.

Çka ndodhte më pas?

Kur paratë kalonin në llogaritë e viktimave, Ragip Delija i shoqëronte në bankë, ku tërhiqte shumicën e mjeteve dhe u kthente atyre nga 500 euro secilës. Pjesa tjetër, sipas tij, “për zyrtarët që kanë ndihmuar”.

Vetëm kur mikrokredia u kërkoi pagesat mujore, viktimat e kuptuan se nuk kishin marrë ndonjë ndihmë – por ishin futur në borxhe.

Lexo edhe:  KEDS njofton se cilat vende do mbesin pa rrymë, ka punime në rrjet

Deri më tani, janë identifikuar dhe intervistuar 10 gra të mashtruara. Shuma totale e përfituar në mënyrë të kundërligjshme: rreth 45,000 euro.

Masa të ndërmarra:

• Ragip Delija dhe Valmir Gashi janë ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë.

• Astrit Haxhidauti është liruar në procedurë të rregullt.

Të gjitha veprimet hetimore janë zhvilluar në bashkërendim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Gazeta Sinjali do të vazhdojë të qëndrojë mbi këtë histori tronditëse dhe të raportojë për çdo zhvillim të ri.