Të gjitha kutitë e votave po rinumërohen

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi njofton se ka filluar rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit.

Kjo vjen pas problemeve me shpalljen e rezultateve preliminare, e dështimit të sistemit digjital të KQZ-së.

Përmes një njoftimi, Kurteshi thotë se me këtë problem tani janë duke u marrë ekspertët edhe nga Policia e kosovës dhe prokuroria.

“Votimi më 9 Shkurt ka përfunduar me sukses. Problemet me shpalljen e rezultateve preliminare, ishin të natyrës teknike, për shkak të dështimit të sistemit digjital. Me këtë problem tani janë duke u marrë ekspertët edhe nga Policia e kosovës dhe prokuroria.

Më 9 dhe 10 Shkurt, KQZ ka futur të gjitha të dhënat nga formularët e Vendvotimeve në sistem në mënyrë manuale, edhe me gabime e lëshime, qofshin ato ndonjëherë edhe të qëllimshme. Shumica e tyre tanimë janë identifikuar. Sidoqoftë, me gjithë këto probleme të cekura, nuk ka vend për shqetësim. Fletëvotimet, formularët e numërimit nga vendvotimet dhe materialet tjera nga vendvotimet janë të gjitha të ruajtura”, thotë ai.

Kurteshi thekson se do të rinumërohen të gjitha kutitë nga vendvotimet dhe se kjo është transparente.

“Tani ka filluar RINUMËRIMI i të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit. Do të RINUMËROHEN të gjitha kutitë nga vendvotimet. ÇDO VOTË DO TË RINUMËROHET PËR SUBJEKTET POLITIKE! Ky RINUMËRIM, një-për-një i çdo vote, është publik, transparent, i vëzhguar nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë. Tëgjitha gabimet dhe lëshimet mund të identifikohen me lehtësi dhe të eliminohen”.

Ai apelon që qytetar e qytetare, çdo votues që identifikon, vëren apo gjen çfarëdo gabimi, lëshim në votat e publikuara, gjen dëshmi konkrete, të drejtohet në KQZ, qoftë në rezultatet preliminare, qoftë edhe pas rinumërimit.

Lexo edhe:  E zbulon Policia: Në manastir u gjet helmeta e Policisë që u mor nga vendi ku u vra Afrim Bunjaku

“… i lutem mirësisht të lajmërohet në KQZ me telefon, email apo personalisht, duke i ofruar dëshmitë konkrete”.

Vullneti i popullit është i pandryshueshëm, thotë Kurteshi.

“Në ndërkohë, pas ardhjes së të gjitha votave nga Mërgata, do të fillojë verikimi dhe numërimi i votave nga Mërgata, i votave me Kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, në QNR, në mënyrë publike, transparente nën syrin e vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë.

Vullneti i Popullit, i qytetares e qytetarit, i votuesit, është i paprekshëm, i pandryshueshëm dhe i patjetërsueshëm dhe do të mbrohet me të gjitha mjetet në dispozicion të shtetit! NUK KA AS VEND E AS ARSYE PËR SHQETËSIM!”, thekson ai.