Të frymëzuar nga TikToku, rreth 20 nxënës në Kosovë e lënduan vetën

Prerje, gërvishtje, shenja në trup… Këto lëndime ia kanë shkaktuar vetes rreth 20 nxënës të tri shkollave fillore në Kosovë, të frymëzuar, siç thonë udhëheqësit e shkollave, nga videot në rrjetin social, TikTok.

Përderisa Policia e Kosovës është duke e trajtuar rastin, sociologët, Këshilli i Prindërve të Kosovës, por edhe drejtorët e shkollave po kërkojnë mobilizim dhe vetëdijesim mbi përdorimin e rrjeteve sociale

Shtatëmbëdhjetë nga këta nxënës vijojnë mësimin në shkollën “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, ndërsa tre prej tyre vijojnë mësimin në shkollën “17 Shkurti”, në fshatin Gllogovc të Komunës së Lipjanit.

TikTok-u është aplikacion i popullarizuar për shpërndarjen e videove të shkurtra, kompania amë e së cilës, ByteDance, e ka bazën në Kinë. Në vitin 2021, TikTok-u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë, që përdoret nga të gjitha moshat, por të rinjtë janë shënjestra kryesore. Kjo ka rritur shqetësimet për sigurinë e tyre çdo ditë e më shumë.

Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se janë të informuar për këto raste, por pa dhënë detaje tjera, porse që janë “ndërmarrë veprimet e nevojshme”.

Si ndodhën rastet në Lipjan e Fushë Kosovë?

Drejtori i shkollës “17 Shkurti”, Mehmet Rashiti, në komunën e Lipjanit, tha për Radion Evropa e Lirë se në periudhën 14-20 maj, në shkollë janë evidentuar tri raste.

“Fillimisht, na ka njoftuar një prind, pastaj kemi bërë kontrolle të nxënësve dhe kemi vërejtur ato gërvishtjet ose prerjet në dorën e majtë te tre nxënës të klasave 6 dhe 7”, ka thënë ai.

Pas identifikimit, për këto raste janë njoftuar Policia e Kosovës, prindërit dhe Qendra për Punë Sociale. Rashiti shtoi se, po ashtu, është vendosur për kontrolle më të shtuara.

Lexo edhe:  Shtyhet seanca e rigjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

Në dy shkolla në Fushë Kosovë, rastet ishin evidentuar pak ditë më vonë, më 29 maj, kur edhe kujdestarja e klasës së gjashtë në shkollën “Mihal Grameno” kishte vërejtur se disa nga vajzat kishin shenja në pjesë të sipërme të duarve.

Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, tha se vajzat, pas takimit me kujdestaren, kanë pranuar se janë “inspiruar nga një video në TikTok”.

“Menjëherë i ka ftuar vajzat të bisedojnë se çfarë ka ndodhur me duart, në pjesën e sipërme të tyre, dhe në momentin që nxënëset i kanë treguar kujdestares, ajo është alarmuar, me urgjencë e ka njoftuar drejtorin e shkollës, i cili i ka kontaktuar aktorët e tjerë”, bëri të ditur ai.

Berisha tha se këto vajza kanë pranuar se janë vetëlënduar jashtë objektit të shkollës.