“Tash e tutje ki me pasë punë me neve” – Kanoset zyrtari policor në Podujevë, një person përfundon në polici, tjetri në kërkim
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë në Kosovë përballen me kërcënime serioze gjatë ushtrimit të detyrës. Shpeshherë, qytetarët e pakënaqur e kalojnë kufirin e sjelljes së ligjshme, duke u bërë kërcënim për sigurinë e zyrtarëve dhe vetë funksionimin e rendit dhe ligjit.
Një zyrtar policor dyshohet se është kanosur në orët e para të mëngjesit në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë, për shkak të veprimeve të tij zyrtare ndaj një kundërvajtësi.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjithçka nisi kur polici kishte sekuestruar një motoçikletë gjatë ditës, veprim që i përkiste një kundërvajtje të kryer nga Sh. SH. Pas kësaj, rreth orës 02:00 të mëngjesit, polici kishte marrë një mesazh kërcënues përmes Messenger-it, ku Sh.Sh. i kishte shkruar: “Mbaje në mend, ki me pas punë me mua”, mesazh të cilin e kishte fshirë menjëherë pas dërgimit.
Pak më vonë, rreth orës 01:40, derisa zyrtari ishte në pompën e derivateve “Patron”, e kishte vërejtur Sh.Sh dhe e kishte pyetur për qëllimin e mesazhit. Ky i fundit kishte tentuar të largohej, por në vendin e ngjarjes ishte afruar një tjetër person – L. C., rreth 18-vjeçar, i cili, sipas policit, i kishte thënë: “Tash e tutje ki me pasë punë me neve.”
I mituri është shoqëruar në stacionin policor, ku ka deklaruar se e njeh zyrtarin policor, por ka mohuar se e ka kanosur. Ndërkohë, polici ka sqaruar se kërcënimet janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me ushtrimin e detyrës së tij zyrtare.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, rasti është cilësuar si “Kanosje”, ndërsa L.C. është liruar në procedurë të rregullt.
Për Sh. Sh., është dhënë urdhër që të arrestohet në momentin që haset, mëson Sinjali.
Rasti është marrë nën kompetencë nga Njësia Rajonale e Hetimeve, e cila do të vijojë procedurat në ditët në vijim.
Sinjali do të raportojë më tej për zhvillimet rreth kërcënimit ndaj zyrtarit policor.