Takimi në Stamboll – si e udhëzoi CIA, UÇK-në ta dëgjonte ofertën dhe ta refuzonte ndihmën e Iranit gjatë luftës
Irani donte të kontribuonte financiarisht dhe me njerëz në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.
Ish-shefi i shërbimit sekret shqiptar, Fatos Klosi, ka treguar për një takim në Stamboll që një ekip i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, në të cilin kishte edhe pjesëtarë të UÇK-së, e kishte zhvilluar me një delegacion të Iranit.
Klosi tha se më vonë, pasi UÇK-ja ishte vënë në kontakt me CIA, “kishte një angazhim të Iranit që donte të financonte”.
Për këtë takim, shqiptarët kishin marrë dritën e gjelbër nga CIA, që kishte udhëzuar të dëgjohej oferta e Iranit dhe në fund, të refuzohej.
“Takimi i parë me ata u bë vërtet në Stamboll. Para se t’i dërgonim njerëzit në Stamboll, në ekipin që dërguam në Stamboll kishte edhe nga UÇK-ja, në mënyrë që biseda të ishte e qartë dhe transparente. Kishim folur me partnerët tanë dhe ata na thanë ‘po, duhen mbajtur kontakte, t’i dëgjojmë deri në fund se çfarë duan’”, tha Klosi mbrëmë në Opinion në TV Klan.
Amerikanët, siç kujton ai, kishin “eksperiencë të hidhur nga Bosnja” dhe rrjedhimisht, ndihma iraniane “nuk u pranua”.
“Ata kërkuan ca kushte që ne natyrisht nuk do t’i pranonim dhe në takimin e parë thanë që duam të ndihmojmë. U thamë OK, ta shohim. Se marrëveshja që kishim bërë me partnerët ishte t’i dëgjojmë deri në fund e pastaj natyrisht ata nuk do të pranohen. Mund të pranoheshin vetëm financime, sepse u thamë ushtarë kemi plot”, tha ai.
Klosi tha se në atë kohë që po zhvillohej ky takim, kishte “një dyndje të rinisë kosovare për të marrë pjesë në UÇK”.
“U thamë ne kemi njerëz, bile kemi shumë njerëz sesa janë mundësitë tona. E dyta thanë, armatim të paktën… Ata kishin armatimet e tyre. Pra, standardi nuk është i njëjtë, do vuajmë për fishekë e kështu, dhe e mbyllëm”.
“U bënë dy takime në Tiranë mbas atij. I thamë që po mirë, të paktën t’i financojmë, meqenëse armët këta i kishin kriju bazat në Europë. Dhe thanë jo se… U tërhoqën ata”.
“Nuk pati më asnjë lloj kontakti”, tha Klosi.