Sveçla viziton pikën kufitare në Bërnjak, takoi disa nga policët e sulmuar më 31 korrik

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar sot pikën kufitare në Bërnjak dhe stacionin e policisë kufitare duke takuar edhe disa nga zyrtarët policorë të cilët janë sulmuar nga strukturat ilegale serbe në mbrëmjen e 31 korrikut.

Sveçla ka njoftuar se zyrtarët e pikës kufitare në Bërnjak janë sulumuar përsëri dje derisa po patrullonin në liqenin e Ujmanit.

“Që nga viti i kaluar deri më tash në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej të cilave kanë qenë ndaj zyrtarëve policor. Përkundër të gjitha sfidave me të cilat po ballafaqohemi tek të gjithë zyrtarët policor pashë një vendosmëri dhe entuziazëm që në plotni të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre zyrtare. Me këtë rast, i falënderova ata për zellin e treguar deri tani dhe i inkurajova që së bashku të punojmë drejt shtrirjes së plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zone”, ka shkruar ai në profilin e tij në facebook.

Ndërsa ka theksuar se MPB-ja dhe gjithë Qeveria e Kosovës ‘do të jenë me qytetarët dhe me institucionet e vendit me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies të secilit veç e veç dhe të gjithëve së bashku’.

Lexo edhe:  Shpallet fajtor prizrenasi i akuzuar për fajde, dënimi me 6 muaj burgim i zëvendësohet me 700 euro gjobë