Sveçla: Te “Gandi” u gjetën pajisje ushtarake, është i dyshuar për vrasjen e Afrim Bunjakut
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se sot, në pronën e Nemanja Radivojeviqit – i njohur si “Gandi”, janë gjetur municion, pajisje ushtarake, policore dhe veshje kamuflazhi.
“Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e heroit të kombit, rreshterit policor Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë.
Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për republikën tonë. Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, ka shkruar ai në Facebook.