Sveçla publikon një dokument tjetër që dëshmon lidhjet e shtetit të Serbisë me sulmin terrorist në Banjskë
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka publikuar edhe një dokument dëshmi tjetër të grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku.
Sveçla ka postuar një dokument që sipas tij është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës.
“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës.
Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit“, ka shkruar Sveçla.
Sipas Sveçlës, tashmë me fakte e dokumente të pakontestueshme, shteti i Serbisë po mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht e logjistikisht.
“Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht”, ka përfunduar Sveçla