Suspendohet zyrtarja policore – dyshohet për spiunazh, Policia pa përgjigje për rastin

Zyrtarja policore Lumnije Behluli, e cila ka ushtruar funksionin e hetueses në kuadër të Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, është suspenduar nga detyra.

Siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta Sinjali zyrtarja policore me gradën rreshter, është suspenduar nën dyshime serioze për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, me theks të veçantë në veprën penale të spiunazhit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se Behluli është larguar nga pozita e saj operative për shkak të një hetimi që lidhet me dyshime për shkelje të rëndë të sigurisë dhe besueshmërisë në institucionin e Policisë.

Gazeta Sinjali i ka shkruar Policisë që katër ditë për ta pyetur më shumë se cilat janë dyshimet që rëndojnë mbi zyrtaren policore, a është duke u trajtuar rasti brenda Policisë apo i është referuar Prokurorisë dhe se a ekziston ndonjë dyshim se veprimtaria e saj ka rrezikuar apo komprometuar hetimet e krimeve të luftës, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Policia e Kosovës nuk ka kthyer asnjë përgjigje zyrtare lidhur me rastin.

Lexo edhe:  Lëvizja e Deçanit s’ka të ndalur, propozon ngritjen e një kryqi 70 metra në Podujevë