Supremja i rrëzon vendimet ndaj Haxhimet Feratit, rasti kthehet në rigjykim
Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim rastin e Haxhimet Feratit, i cili ishte dënuar më 1 vit burgim pasi si zyrtar i Prokuroimit në Komunën e Mitrovicës akuzohet për korrupsion.
Mbrojtja e Feratit ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë që ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
“Me miratimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit Haxhimet Ferati, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.170/2023 i datës 07.05.2024 dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda PAKR.nr.505/2024 i datës 14.10.2024 dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”, thuhet në aktgjykimin e Supremes që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, i cili është nxjerrë më 17 dhjetor 2024.
Gjykata Themelore më 7 maj 2024 e kishte dënuar Feratin me 1 vit burgim si dhe ishte obliguar të paguante 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në Fondin për Kompensimit të viktimave të krimit. Më 14 tetor 2024, Apeli e kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Kundër këtyre aktgjykimeve kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur mbrojtësi i të dënuarit, avokati Armend Shkoza me pretendimet se ka pasur shkelje të ligjit penal dhe shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“…ngase gjykata e shkallës së parë ka tejkaluar fushëveprimin e fakteve nga akuza duke e bërë ndryshimin e dispozitivit të akuzës së paraqitur në atë mënyrë që ka bërë zgjerimin e përgjegjësisë së të dënuarit dhe me qëllim të vërtetimit të përgjegjësisë penale të tij ka bërë interpretim të zgjeruar të rrethanave. Për më tepër, tejkalimin e kompetencës së personit zyrtar e ka bazuar në rjedhën e një procedure tjetër të prokurimit, respektivisht procedurës së tenderimit të “Zonës së Lirë Ekonomike – Faza e Dytë” e cila ishte anuluar nga ana e autoritetit kontraktues dhe i cili anulim ishte vërtetuar nga ana e OSHP-së”, thuhet në kërkesën e avokatit për mbrojtje të ligjshmërisë.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit janë të bazuara, ngase aktgjykimet kundër të cilave është parashtruar kërkesa përmbajnë shkelje në të cilat pretendohet në kërkesë.
“Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale sipas dispozitës së nenit 384 par.2 nënpar.2.6 lidhur me nenin 369 par.7 të KPP-së, meqë gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e saj ka tejkaluar fushëveprimin e fakteve nga aktakuza”, thuhet në gjetjet e Supremes.
Sipas Supremes, shkalla e parë në aktgjykimin e saj përmes këtij përshkrimi vetëm sa ka shkaktuar konfuzion përkitazi me veprimin e të akuzuarit.
“Gjykata Supreme e Kosovës vëren se në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë pamjaftueshëm është arsyetuar përgjegjësia penale e të dënuarit, përkundër faktit se dispozita e nenit 21 par.2 të KPRK-së ka përcaktuar se: “Personi vepron me dashje direkte kur është i vetëdijshëm për veprën e vet dhe e dëshiron kryerjen e saj” dhe dispozita e nenit 22 të KPRK-së se “Dijenia, dashja, pakujdesia ose qëllimi i kërkuar si element i veprës penale mund të nxirret nga rrethanat faktike”. Bazuar në këtë, del se dashja si element subjektiv i veprës penale duhet të vlerësohet bazuar në rrethanat objektive të veprimeve të të dënuarit dhe duke u bazuar në veprimet konkrete të tij duhet të arrihet konkludimi nëse manifestohen apo jo elementet e kësaj vepre penale posaçërisht dashja direkte e tij”, thuhet më tej.
Gjykata Supreme vlerëson se në rigjykim gjykata e shkallës së parë duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e dhëna në këtë aktgjykim dhe të administrojë provat ekzistuese e sipas nevojës edhe prova tjera e pas kësaj të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike