Sulmohet një zyrtar policor në Prizren, i dyshuari ikë nga vendngjarja

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një incident i tillë ka ndodhur sot rreth në mesditë, në rrugën “Bashkim Suka” në Prizren, ku një zyrtar policor është sulmuar gjatë kryerjes së detyrës.

Sipas burimeve të Sinjalit, patrulla policore ishte duke larguar automjetet e parkuara në kundërshtim me ligjin për rregullat e komunikacionit, kur një automjet është ndalur dhe i është kërkuar të respektojë rregullat.

I dyshuari fillimisht ka refuzuar të japë dokumentet dhe më pas në mënyrë të vrullshme, është nisur me veturë, duke goditur njërin nga zyrtarët policorë dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore.

Pas incidentit, ai është larguar në drejtim të panjohur.

Zyrtari policor ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Lexo edhe:  Grabitje e armatosur në pompën ‘IP Petrol’ në Drenas, hajni i maskuar ia merr qindra euro punëtorit dhe zhduket