Sulmohen inspektorët e Komunës së Prizrenit, qytetari u çart pasi s’e mori raportin në gjuhën turke
Inspektorët komunalë shpesh herë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare përballen me ofendime e fyerje nga qytetarët me të cilët kanë punë. Por ka raste kur situata eskalon edhe në kërcënime e sulme fizike, duke rrezikuar jetën e tyre dhe duke ua vështirësuar punën.
Me sulm nga një qytetar janë përballur edhe dy inspektorë të Komunës së Prizrenit, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë hasur në mosmarrëveshje me të dyshuarin.
Sinjali mëson se inspektorët kishin dalë në vendin e ngjarjes për shkak të disa problemeve me ujë apo kanalizim dhe aty janë ballafaquar me të dyshuarin e nacionalitetit turk.
Motivi që shtyu të dyshuarin të bëjë këtë veprim, dyshohet të jetë raporti i lëshuar nga inspektorët, të cilin kërkoi që ta ketë në gjuhën e tij amtare dhe jo në gjuhë shqipe.
I moshuari i revoltuar dyshohet se ka sulmuar viktimat, me ç’rast është nevojitur intervenimi i organeve të rendit.
Policia ka arritur që ta arrestojë 71-vjeçarin, i cili më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.