Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit, kthehet në normalitet furnizimi me ujë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së jugut, veriut dhe Zveçanit.

Pas sulmit me eksploziv që ndodhi në kanalin e Ibër-Lepencit, Rizvanolli ka thënë se furnizimi me ujë është duke u kthyer në normalitet.

“Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet! Mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit”, ka shkruar ministrja.

Ajo ka shtuar se shumë shpejt pritet të normalizohet furnizim edhe për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit.

“Sot, uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furnizimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit”, ka shkruar Rizvanolli.

Lexo edhe:  Super lajm, raportohet se Jasir Asani është afër transferimit te klubi i madh spanjoll