Sulmi me granatë dore në veri të vendit- Kryetari i Zubin Potokut e konfirmon se bomba u hodh tek shtëpia e asistentit të tij

Në orët e hershme të së mërkurës, Policia e Kosovës ka raportuar se në oborrin e një shtëpie në komunën e Zubin Potokut është hedhur një mjet shpërthyes.
Siç ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, nga dyshimet e para bëhet fjalë se mjeti shpërthyes në fjalë ka qenë një granatë dore.

“Ka pasur dëme materiale në vetura dhe në dritaren e shtëpisë”, është shprehur Elshani duke shtuar tutje se hetimet për rastin kanë nisur.

Për çështjen në fjalë redaksia e lajmi.net ka kontaktuar edhe me kryetarin e kësaj komune, Izmir Zeqiri.

Zeqiri bën të ditur se granata i është hedhur bashkëpunëtorit të tij.

“Po, granata i është hedh asistentit, bashkëpunëtorit tim nga pala serbe. Ka dëmtime në kerr, afër shtëpisë aty. Kjo është çka mund të them momentalisht” ka thënë Zeqiri.

E në pyetjen nëse rasti mund të ketë lidhje me kërcënimet e fundit që Zeqiri i ka marrë, ai u shpreh se nuk mund të thotë diçka për këtë pjesë.

“Nuk e di, hetuesia do të i sqarojë me siguri gjanat. Por me rëndësi është që është një lloj i sulmit, me qëllim të frikësimit të palëve që mos me punu, mos me bashkëpunu në drejtim të institucioneve të Republikës së Kosovës.

E në fund ai tha se ngjarjen e sheh si sulm.

“Presion mbi akterët e ndryshëm dhe unë e shoh si sulm”, përfundoi ai.

I njëjti gjatë ditës së djeshme njoftoi se është kërcënuar nga një person që paraqitet si zyrtar i MUP-it serb.

“Po Policia është informuar për herën e parë, por është e njëjta e pram ma ka çu prapë një kërcënim…mirëpo për shkak të hetimeve se kam publiku herën e parë por masi ka pas vazhdueshmëri e kam publiku. Pra është e njëjta adresë, i njëjti person që më kërcënon kështu përmes rrjeteve sociale në Facebook”,tha ai.

Lexo edhe:  E dhimbshme: 20-vjeçari vdes nga goditja e rrufesë në Maqedoninë e Veriut

“Jo, jo absolut nuk frikësona. Unë në punë jam, s’e kam këtë problem kurrë nuk frikësona fare prej tyre”, shtoi Zeqiri.

Ai tha se është kërcënim i tillë, me shkrim me fotografi kërcënuese.

“Qeta tre muaj ditë më 31 janar kërcënimin e parë dhe pram të dytin pra me shkrim. Të ngjashme kam pas edhe tjera, por jo k’si të forta. Nuk frikësohem fare prej këtyre gjanave.Para tre muajve ka qenë një këso, pra ndodhin këto. Kam pas të natyrës së ngjashme kërcënim vitin e kaluar, por s’besoj se lidhen me zhvillimet e fundit në veri”,shtoi i pari i Zubin Potokut.

Sipas Zeqirit, ka njerëz që prej fillimit ndoshta janë thirr në kërcënime.

“Thotë se është officer i MUP-it por s’më frikësojnë këto”. Madje ai iu përgjigj këtyre kërcënimeve duke thënë se “këtu është dhe këtu do të jetë”.

Duhet theksuar se veriu i vendit vazhdon të jetë në situata “dramatike” sa i përket sigurisë dhe se të gjitha këto zhvillime shpesh herë bëjnë që të rritet presioni ndërkombëtar për respektim të marrëveshjeve dhe vazhdim të dialogut.