“S’po guxojmë t’i përmendim, por njerëzit janë vrarë”, Abdixhiku ‘godet’ tavolinën për veprimtarët e LDK-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në 23-vjetorin e vdekjes së veprimtarit Xhemajl Mustafa tha se është krijuar një ndjenjë që s’guxohet të flitet për vrasjet e pasluftës në studio televizive “sepse thonë po i politizoni”, u shpreh ai.
Por Abdixhiku përmendi faktin se “njerëzit janë vrarë”.
Kështu ai u shpreh, duke shtuar se ndjen keqardhje për familjen që vrasja e Mustafës nuk është zbardhur akoma.
“Rikujtoj e nderoj që sot është 23-vjetori i vrasjes së njërit prej patriotëve më të mëdhenj, Xhemajl Mustafa. Në këtë ditë të rënd jemi me familjen, por edhe jemi të detyruar të ndjekim këtë ideal që Xhemajl Mustafa ka nis me plotë bashkëpunëtorë të tjerë”, tha Abdixhiku në Pressing.
“Janë të dhimbshme se fati i tyre s’është i zbardhur, paramendoni një njeri intelektual si Xhemajl Mustafa, me gjitha virtytet e mira, ndjej keqardhje për fatin e familjes por edhe për fatin e Republikës së Kosovës sepse njerëz të mirë janë marrë nga vrasës që s’dihen edhe sot”, tha ai.
“Por është krijuar edhe një ndjenjë që s’guxojmë të flasim për to në studio televizive sepse thonë po i politizoni, ç’është e vërteta njerëzit janë vra dhe është e drejtë e vazhdueshme të kërkohet drejtësi për ta”, u shpreh ai.