Spiropali viziton sot Thaçin në Hagë
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Hagë të Mbretërisë së Holandës.
Në Hagë, Spiropali do të pritet nga Ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, me të cilin do të firmosin një deklaratë të përbashkët për fuqizimin e partneritetit në kontekstin e mbështetjes për integrimin europian të vendit.
Gjatë ditës së sotme, ajo do të vizitojë ish-presidentin Hashim Thaçi, në institucionin e Paraburgimit të Gjykatës Speciale.
Ministrja do të mbajë një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Hagës, me studentët dhe akademikët e Programit të Studimeve Europiane rreth agjendës së angazhimeve që Shqipëria ka ndërmarrë për të garantuar standardet europiane./TCh

