Specialja lë në paraburgim Hashim Thaçin
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ky vendim, është marrë më 29 shtator nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, mirëpo u publikua më vonë në faqen zyrtare të DhSK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në vendim thuhet se mbrojtja, parashkrimet tjera për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit, duhet t’i bëjë deri më 29 tetor.
Nëse mbrojtja vendos të mos bëjë parashtresa në atë afat, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) duhet t’i parashtrojë parashtresat jo më larg se 4 nëntor dhe pastaj mbrojtja parashtesat e saj jo më larg se më 15 nëntor.
Ndryshe, në një shkresë drejtuar gjykatësit paraprak, Guillou, mbrojtja e Thaçit parashtroi se është e nevojshme mundësia unike hetimore për nëntë dëshmitarë ndërkombëtarë dhe se dëshmitë e tyre janë të rëndësishme për çështjen.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.