Sot varroset 13-vjeçarja që vdiq si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit

13-vjeçarja, e cila vdiq si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në Shajne të Dragashit, do të varroset sot në varrezat e fshatit.

Kështu u bë e ditur nga njoftimi i familjarëve të së ndjerës, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkaq, rastin e rëndë për redaksinë e ka konfirmuar edhe zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Me datën 09.10.2025, rreth orës 18:31, përmes Qendrës Emergjente Prizren (112), policia ka pranuar një informacion se në fshatin Shajne, Komuna e Dragashit, ka ndodhur një lëndim aksidental i një fëmije, i cili dyshohej se ishte me lëndime të rënda. Menjëherë pas pranimit të informatës, patrulla policore nga Stacioni Policor Dragash është nisur në vendin e ngjarjes, ndërsa është njoftuar edhe ekipi mjekësor emergjent”, tha Bytyqi.

“Pas arritjes në vendngjarje, është konstatuar se bëhet fjalë për të miturën E.F.I. (vajzë, 13 vjeçare), e cila kishte pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në shtëpinë e saj. Ekipi mjekësor,  në vendngjarje ka konstatuar se viktima nuk ka shenja jete. Sipas informatave fillestare, nuk ka persona të tjerë të lënduar”.

“Në vendngjarje kanë dalë njësitet hetimore dhe forenzike të Stacionit Policor Dragash, si dhe hetuesit rajonal bashkë me eprorët policor. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë. Policia është duke e hetuar rastin si vepër ‘Shkaktim I rrezikut të përgjithshëm’”.

Lexo edhe:  Historia e Ramazanit: Pse agjërojnë myslimanët dhe a mund ta mbajnë edhe njerëzit që besojnë në fe të tjera