Sot u jepet lamtumira e fundit nënës dhe bijës që humbën jetën në aksidentin që ndodhi dje në rrugën Dragash-Zhur
Një aksident me fatalitet ndodhi paraditen e djeshme në rrugën Dragash-Zhur, me ç’rast humbën jetën dy persona.
Siç konfirmoi Policia, në aksidentin e rëndë u përfshinë një kamion dhe një automjet i udhëtarëve, teksa sipas Policisë viktima ishin nënë e bijë.
E ndjera Valentina Krasniqi 39 vjeç dhe e bija e saj Jeta Krasniqi 2 vjeç do të varrosen sot rreth orës 17:00.
Lajmin e kanë konfirmuar familjarët nga ana e bashkëshortit të të ndjerës.
“Ju njoftojmë se varrimi bëhet sot me datë 04.06.2024 (e martë) me namazin e ikindisë në varrezat e fshatit Buçe. Allahu i shpërbleftë me Xhenet”, thuhet në njoftimin mortor të familjes.
Gazeta Sinjali ka raportuar se personi që dyshohet se shkaktoi aksidentin tragjik është Skender Seferi, rreth 37-vjeçar.
Lidhur me rastin, Policia thotë se po kryhen hetime nga njësia e Trafikut Rajonal të Prizrenit.
“Në vendin e ngjarjes kanë ndalur edhe zyrtar të lartë nga Njësia e trafikut rajonal, prokurori i rastit dhe njësitet tjera relevante. Me urdhër te prokurorit te shtetit trupat e pa jetë dërgohen ne IML Prishtinë, ndërsa I dyshuari pas marrjes se ndihmës se par ndalohet për 48 ne ndalim policor me urdhër te prokurorit te shtetit”, njoftoi PK.
Gruaja e cila vdiq bashkë me të bijën në aksident, ka lënë pas vetes edhe dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë.