Sot shënohen 26 vjet nga rënia heroike e komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra
Sot bëhen 26 vjet që nga rënia heroike e njërit prej komandantëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili dha jetën në mbrojtje të popullit të tij, në një nga momentet më të vështira të luftës në Kosovë.
Ilaz Kodra, i lindur më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit, ishte pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe një prej figurave kyçe të rezistencës në Drenicë dhe më gjerë.
Ai përfundoi shkollimin në Skenderaj dhe studimet e larta në Pejë, ndërsa shërbimin ushtarak e kreu në Slloveni.
Më 30 prill 1999, në orët e para të mëngjesit, në përpjekje për të ndihmuar popullatën civile në fshatrat Verboc dhe Shtuticë, të rrezikuar nga forcat serbe, Kodra bie heroikisht në një përballje të drejtpërdrejtë me armikun, në fshatin Shtuticë, në një rrethim të hekurt të organizuar nga armiku.
Për të nderuar veprën dhe sakrificën e tij, sot Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt organizojnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe zbulimin e pllakave përkujtimore në fshatrat Shtuticë dhe Gllobar.
Lavdi e përjetshme për dëshmorin Ilaz Kodra – emri i tij mbetet i gdhendur në historinë e lavdishme të luftës për liri.