Sot për herë të nëntë – A do të arrijë Kuvendi ta zgjedhë kryetarin?
Kuvendi i Kosovës, dje ka lëshuar njoftim për vazhdimin e seancës konstituive që do të mbahet sot nga ora 10:00.
Pas miratimit të raportit të komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, procesi i konstituimit ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Vetëvendosje ka propozuar disa herë Albulena Haxhiun për këtë post, mirëpo ajo s’ka arritur t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Deri më tani, numri më i lartë i votave për Haxhiun ka qenë 57, kurse në seancën e fundit (e martë), Haxhiu mori vetëm 54 vota.
Gjatë tërë kësaj kohe, partitë opozitare kanë kërkuar nga VV ta ndërrojë kandidaten, duke thënë se Haxhiu është figurë përçarëse. Përderisa PDK dhe AAK janë shprehur hapur kundër kandidaturës së saj, LDK-ja ka bërë të ditur se nuk do ta përkrahë asnjë kandidat të VV-së.
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dje ka ftuar kryetarin e LDK-së dhe të PDK-së për një takim më 1 maj, pak para mbajtjes së seancës.
“Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës së Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30”, ka shkruar Kurti në letrën e tij.
Ai ka shtuar: “Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes.”
Mirëpo, përgjigja e LDK-së ka qenë refuzuese. Shefja e deputetëve të kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë takim.
“Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për më tepër nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme”, ka thënë Bajrami.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se do të shkojë në takimin e thirrur dje nga Albin Kurti.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim”, ka shkruar Krasniqi në ‘Facebook’.
Pa konstituimin e Kuvendit nuk mund të fillojë as formimi i Qeverisë së re. Vetëvendosje, e cila ka 48 ulëse nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës, ka nevojë për të paktën 61 vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe më pas për të formuar ekzekutivin.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që Kosova ta përmbyllë sa më parë këtë proces dhe të krijojë institucionet e reja.
Sinjali do të vazhdojë ta përcjellë zhvillimin e situatës politike dhe rezultatet nga seanca e sotme.