“Sot ose në fillim të javës”, pritet të ngritet aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit për rezervat shtetërore
Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të ngre aktakuzë kundër ministres tash në detyrë të Qeverisë së Albin Kurti, Rozeta Hajdari, për skandalin me rezervat shtetërore.
Burime të sigurta i kanë thënë Periskopit se është çështje ditësh kur do të ngrihet aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit.
“Sot, ose më së largu në fillim të javvës”, ka thënë ky burim për Periskopin.
Skandali me rezervat shtetërore
Rezervat shtetërore u bënë fillimisht kryelajm në gusht të vitit 2023, kur flitej për keqpërdorimin e tyre.
Atëkohë u arrestuan disa persona, në mesin e të cilëve edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Hajdari.
Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.
I përfshirë ishte edhe pronari i restaurantit ‘Bukë e Zemër’, Ridvan Muharremi.
Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë “sekrete shtetërore”.
Ajo akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kurti i kishte dalur në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.
Në përgjigje, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Kurtit që “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese”.
Tetë muaj më vonë, në prill të këtij, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore.
Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje.
Opozita kërkoi dorëheqjen e Hajdarit, por ajo mohoi se ka arsye për një gjë të tillë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në anën tjetër, kërkoi që të pritet epilogu i rastit.
Ftesa për Kurtin si dëshmitar
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, njoftoi përmes një postimi në Facebook, mbrëmjen e 11 dhjetorit, se Prokuroria Speciale i ka dërguar thirrje Kurtit për t’u paraqitur për dëshmi më 16 dhjetor.
Ai kritikoi sistemin e drejtësisë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi Kryeziu në Facebook.
Në thirrjen që e shpërndau, thuhet se Kurti është ftuar të dëshmojë në një rast që lidhet me veprën penale të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës.
Me këtë nen sanksionohen veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.