Sot nis “Defender Europe 25”, Kosova mirëpret komandën amerikane

Kosova po bëhet për herë të parë mikpritëse e komandës së një divizioni të ushtrisë amerikane, në kuadër të “Defender Europe 25” – ushtrimi më i madh ndërkombëtar i këtij viti. Aktiviteti ushtarak nis sot në Babaj të Bokës, Gjakovë, me pjesëmarrjen e 25 mijë ushtarëve nga 29 vende partnere.

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar zhvillimin e ushtrimit, i cili do të përfshijë lëvizje të konvojeve ushtarake nga bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, me theks të veçantë në Aeroportin e Gjakovës dhe poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.

“Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar ‘Defender Europe 2025’. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Përmes këtij ushtrimi, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësi të tregojë gatishmërinë e saj operacionale dhe nivelin e bashkëpunimit me aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Kujtojmë se Kosova nuk ishte pjesë e këtij ushtrimi në vitin 2023, pasi ishte përjashtuar për shkak të tensioneve të shtuara në veri të vendit.

Lexo edhe:  Profesori anglez: Qeveria e Kosovës ta respektojë vetën, të mos zmbrapset nga vendimi për targat