Sot kulminacioni i nxehtësisë së kësaj jave
Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe jashtëzakonisht i nxehtë, me rritje kulminante të temperaturave për këtë valë nxehtësie. Do të ketë edhe vranësira të pakta lokale. Pasdite vonë në disa zona vranësirat mund të zhvillohen duke krijuar kushte për ndonjë rrebesh lokal shiu me vetëtima dhe bubullimë kryesisht në disa vise kodrinore-malore.
Temperatura maksimale pritet të arrijë deri në 38 gradë Celsius.
Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi të Enjten pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vapë të fuqishme. Pasdite vonë në disa vise kodrinore-malore priten zhvillime të rrebesheve të izoluara të shiut me vetëtima dhe bubullimë.
Të Premten shumë nxehtë, por edhe me destabilizim të motit. Pasdite priten stuhi të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë dhe pastaj do të ketë ulje të temperaturave kryesisht në viset kontinentale. Ka mundësi që të ketë breshër në ato zona të izoluara ku zhvillimet do të jenë më të forta.
Fundjava pak më e freskët. Të Shtunën ende mund të ketë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.
Nga e diela prapë me diell dhe rritje të temperaturave./MeteoBallkan