Sot i jepet lamtumira e fundit avokatit Përgjoka, dega e OAK në Prizren organizon mbledhje komemorative

Avokati Pjetër Përgjoka nga fshati Velezhë i Komunës së Prizrenit, është ndarë nga jeta të enjten, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë dhënë miqtë e familjarët, me ç’rast kanë bërë të ditur se lamtumira e fundit do t’i jepet sot, në orën 15:00, në varrezat e qytetit të Prizrenit.

Dega regjionale e Odës së Avokatëve në Prizren ka organizuar sot mbledhje komemorative në ndër të Përgjokës, që do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prizren, në sallën e madhe, në orën 12:00.

Ndryshe, avokati Përgjoka në fshatin e lindjes e mbaroi shkollimin fillor, ndërkaq shkollën e mesme në Prizren, kurse Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.

Fillimisht, i njëjti karrierën e tij profesionale e ka filluar si drejtues i shërbimit pronësor juridik pranë Komunës së Prizrenit, ndërsa më pastaj është zgjedhur Gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Prizren. Pas luftës, një kohë ka punuar si gjyqtar i gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Prokuror i Shtetit, pranë Prokurorisë së Qarkut në Prizren.

Pjetër Përgjoka për shumë vite ka qenë edhe drejtues i Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” në Prizren dhe në nivel vendi, ku dhe gjatë karrierës së tij ka qenë autor i biografisë së Nënë Terezës duke mbledhur materiale nëpër të gjitha arkivat e mundshme.

Po ashtu, gjatë vitit ‘95 ka qenë njëri nga mbrojtësit në procesin më famëkeq të Prizrenit, ku në të njëjtën kohë ka raportuar edhe në komitetin e Helsingut për shkeljen e të drejtave humanitare të burgosurve politikë që iu janë bërë gjatë këtij procesi nga regjimi i asaj kohe.

Avokati Pjetër Përgjoka me profesionalizmin dhe dijen e tij, ka dhënë një kontribut të madh në sistemin e drejtësisë dhe atë në kohët më të vështira të viteve 1989-1999, ku si pasojë e regjimit të kësaj periudhe ishte mbrojtës i të burgosurve politikë.

Lexo edhe:  E rëndë në Malishevë: Djali rrah gjyshen, nënën dhe motrën, i bën për spital

Për mbi 20 vjet, Përgjoka ka dhënë kontribut duke shërbyer si avokat.