Sondazhi i IRI: Serbia, kërcënimi më i madh për Kosovën, përgjegjëse për tensionet e fundit

Një sondazh mbarëkombëtar në Kosovë nga Qendra për Perceptime në Hulumtime të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) tregon se Serbia shihet si kërcënimi më i madh për Kosovën dhe është përgjegjëse për tensionet e fundit, derisa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë sipas 44% të anketuarve pritet të ndodhë 1-5 vjetët e ardhshme.

85% e të anketuarve kanë deklaruar se Serbia është kërcënimi më i madh për vendin, i pasuar nga Rusia me 84%, Kina (47%), Mali i Zi (22%), ShBA (14%), Shqipëria (13%) dhe Turqia (10%).

Të pyetur se kur mendojnë që Kosova do t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, 44% e qytetarëve të anketuar janë shprehur se 1 deri në 5 vjet, brenda një viti (11%), në 6-10 vjet (14%), në 11-15 vjet (5%), në më shumë se 15 vjet (6%), kurrë (11%) derisa 9% e qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen.

Ndërsa, se a është Kosova më afër apo më larg normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë sesa ka qenë dy vjet më parë, 33% e qytetarëve kanë deklaruar se është më afër, 30% kanë thënë se nuk ka pasur asnjë ndryshim, 25% kanë thënë se më larg, derisa 8% kanë refuzuar të përgjigjen.

Ndërkaq, se kur do ta njohë Serbia Kosovën si shtet, më pak se gjysma e të anketuarve janë shprehur se 1-5 vjet (41%), për periudhën 6-10 vjet janë shprehur 16% të të anketuarve, 8% kanë deklaruar që brenda një viti, 6% 11-15 vjet, në më shumë se 15 vjet (8%). Ndërsa, 11% e qytetarëve janë shprehur se Serbia kurrë nuk nuk do ta njohë Kosovën, derisa 11% e qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen.

Lidhur me tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më shumë gjysma e qytetarëve të anketuar janë shprehur se Serbia është përgjegjëse. Sipas rezultateve të publikuara më 16 maj Qendra për Perceptime në Hulumtime të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), 83% e qytetarëve kanë deklaruar se shteti serb është përgjegjës për rritjen e tensioneve, 5% janë shprehur se Kosova, të dyja (10%), derisa 1% e qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen.

Lexo edhe:  Bie në prangat e Policisë në Prizren ‘Softa’ me të kaluar kriminale, dërgohet në burg

Të pyetur se sa janë të shqetësuar se tensionet me Serbinë do zhvillohen në konflikt dhe dhunë më të madhe, 11% e qytetarëve kanë deklaruar se janë shumë të shqetësuar, disi të shqetësuar (45%), jo shumë të shqetësuar (30%), aspak të shqetësuar (13%), derisa 1% e qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen.

Derisa se çfarë lëshimesh duhet të jetë e gatshme që të bëjë Kosova që Serbia të njohë Kosovën, rreth 79% e qytetarëve të anketuar janë shprehur se Kosova nuk duhet të bëjë asnjë lëshim. 7% janë deklaruar për pranimin e një njohjeje de-facto, komunat serbe (5%), tërheqja e ofertës për t’u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara 2%, të tjera (1%), ndërkohë, që nuk e dinë apo refuzojnë të përgjigjen janë deklaruar 7% e të anketuarve.

Të anketuarit janë pyetur edhe për çështjen e targave se a duhet që Qeveria e Kosovës të vazhdojë të shtyjë politikën që të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe serbët e Kosovës, të përdorin targa të Kosovës, mbi 65% e qytetarëve janë shprehur për (Po), 25% kundër (Jo), derisa 10% e tyre kanë refuzuar të përgjigjen./KP