Skuqen kriptovalutat, bien aksionet dhe humb vlerë Bitcoin
Aksionet e lidhura me kriptovalutat shënuan rënie të ndjeshme sot, të nxitura nga tërheqja e investitorëve nga aksionet teknologjike dhe segmentet më të rrezikshme të tregut.
Ndërmjet këmbimoreve të kriptovalutave, Coinbase dhe eToro ranë me më shumë se 5 për qind, ndërsa Robinhood dhe Bullish shënuan rënie mbi 6 për qind. Kompania e shërbimeve financiare në fushën e kriptovalutave, Galaxy Digital, pësoi një rënie deri në 11 për qind, shkruan CNBC.
Në të njëjtën kohë, çmimi i Bitcoin ra me gati 3 për qind, duke u ulur në pak mbi 113 mijë dollarë. Sipas të dhënave të Coin Metrics, ether ra mbi 4 për qind dhe po tregtohej në nivelin e 4100 dollarëve. Kjo rënie erdhi pasi Bitcoin arriti javën e kaluar një rekord të ri prej gati 125 mijë dollarësh.
Duket se sot investitorët janë tërhequr në masë nga aksionet teknologjike – një sektor që javën e kaluar ishte në rritje për shkak të spekulimeve mbi ulje të mëtejshme të normave të interesit.
Indeksi teknologjik Nasdaq Composite ra me më shumë se 1 për qind, i shtyrë poshtë nga rënia e vlerës së Nvidia dhe gjigantëve të tjerë teknologjikë. Tregu i kriptovalutave shpesh ndjek lëvizjet e aksioneve teknologjike për shkak të bazës së ngjashme të investitorëve që fokusohen në rritje, natyrës spekulative dhe prirjes për rritje në mjedise me norma të ulëta interesi.