S’kanë të ndalur telashet në diskotekën “Gate” – Dy persona të armatosur kërcënojnë pronarin, sigurimi ia merr armën

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në diskotekën “Gate” në Prishtinë, ku dy persona të armatosur kanë hyrë në lokal dhe kanë kërcënuar me jetë pronarin e diskotekës.

Sipas burimeve të Sinjalit brenda Prokurorisë, më 26 korrik 2025 rreth orës 02:30 është raportuar për praninë e një arme zjarri në lokalin në fjalë. Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë njësitë policore, të cilat kanë takuar viktimën/ankuesin, Skender Kastrati rreth 57-vjeçar, punëtor i sigurimit në diskotekë.

Kastrati ka deklaruar se dy persona të panjohur kishin hyrë në lokal dhe kishin kërkuar të takonin pronarin, Sead Humolli. Pasi e kanë takuar atë, njëri prej tyre e ka kërcënuar duke i thënë se do t’ia vrasin vëllanë. Menjëherë pas kërcënimit, i dyshuari është larguar pak hapa dhe ka nxjerrë një armë zjarri.

Sipas dëshmisë së punëtorit të sigurimit, personeli i diskotekës ka reaguar me shpejtësi, duke i marrë armën dhe vendosur në një vend të sigurt deri në mbërritjen e Policisë.

Zyrtarët policorë kanë sekuestruar armën, bashkë me një karikator që përmbante 14 fishekë. Lidhur me këtë rast është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka autorizuar hapjen e rastit për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Sulm”, ndërsa rasti i është referuar njësisë së hetimeve për identifikimin dhe procedimin e të dyshuarit.

Hetimet janë duke vazhduar dhe Policia është në kërkim të autorëve të këtij incidenti të rrezikshëm.

Lexo edhe:  Vdekje e dyshimtë në Kamenicë, një burrë gjendet pa shenja jete në një mal