Skandaloze: Gazetari tregon se në Pediatri mungon glukoza që kushton 1 euro, e tasat për analiza që kushtojnë 20 cent

Gazetari i RTK-së, Arton Mulliqi, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas dështimit të 50-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke denoncuar mungesat elementare në Klinikën Pediatrike të QKUK-së.

Në një postim të ndjerë, Mulliqi ka zbuluar se në repartin e Endokrinologjisë mungon edhe glukoza – një medikament bazik që kushton vetëm 1 euro – ndërkohë që fëmijët e shtrirë aty përballen me mungesa të rënda.

“Ne Klinikën Pediatrike, ndër shumë mungesa të tjera mungon edhe GLUKOZA, një medikament bazë për fëmijët e shtrirë… dhe që kushton vetëm 1 euro”, shkruan Mulliqi, i cili ka bërë të ditur se, nga paga e tij e rrezikuar, ka vendosur të blejë 10 njësi glukoze për ta dorëzuar në këtë repart, si një gjest simbolik solidariteti.

Ai ironizon me klasën politike, duke iu drejtuar me tone të ashpra: “Mundeni me kalkulu politikisht edhe 50 herë të tjera, mundeni me e lënë këtë shtet në mëshirë të fatit, por historia ka me ju gjyku për këtë marri!”

Gazetari thekson se mungojnë edhe tasa për analizën e urinës, që kushtojnë vetëm 20 cent, duke vënë në pah thellësinë e krizës në sistemin shëndetësor.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur vendi ndodhet në një bllokadë të vazhdueshme institucionale, ndërsa qytetarët përballen me mungesa të theksuara në shërbimet bazike.

Lexo edhe:  Aksident në Banjë të Malishevës, lëndohen tre persona