Skandali në MPJD, me dokumentet e mërgimtarëve, si iu dha tenderi kompanisë me çmim katërfish më të lartë

“Zakonisht kur ndërron operatori ekonomik, siç e kemi parë edhe në këtë rast, nganjëherë ai fillimi është pak më i ndërlikuar, mirëpo me aq sa jam unë e informuar kjo çështje është zgjidhur tashmë”, ka deklaruar Gërvalla.

Kështu kishte deklaruar Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla muaj më parë kur ishin shfaqur ankesat e para për dërgesat nga Prishtina në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës nëpër botë, të cilat po i kryente kompania “A.L DUSHI SH.P.K” (kontraktor i autorizuar i kompanisë multinacionale UPS).

Çështja, jo që nuk është zgjidhur, por kompanisë që ishte zgjedhur fituese e tenderit me çmim katërfish më të lartë, i është ndërprerë dje kontrata pasi ka dështuar t’i ofrojë shërbimet që i kishte premtuar me kontratë.

Sipas vendimit të MPJ’së që e ka nënshkruar nga Kaltrina Dalipi Ushtruese e Detyrës së Divizionit Prokurimit Publik, e cila ka lidhje familjare me Luan Dalipin, shefin e stafit në kabinetin e Kryeministrit Kurti, “A.L DUSHI SH.P.K” (UPS) ka dështuar.

Për pasojë, aktualisht, 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi nuk kanë shkuar në destinacion.

“Edhe përkundër vërejtjes së parë, me datë 09.10.2024 në cilësinë e menaxherit të kontratës kam paralajmëruar operatorin për mos respektim të afateve, konkretisht për 12 dërgesat e datës 02.10.2024 të cilat nuk kanë arrit me kohe ashtu siç është e përcaktuar në specifikat e kontratës, andaj u vendos t’i shqiptohet vërejtja e dytë me shkrim me datë 15.10.2024. Me datë 18.10.2024 ora 14:00h është mbajt një takim me OE për dërgesa të cilat ende nuk kanë arrit sipas specifikave të kontratës 24h-48h zona 1. Numri total i dokumenteve që ende nuk kane arrit janë 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime lirm/fitim shtetësie” thuhet në vendimin për ndërprerjen e kontratës.

Lexo edhe:  E rëndë / Gjendet i vdekur në rrugë një person në Pejë

Mediat kanë raportuar se këto pasaporta, letërnjoftime dhe vendime për shtetësi kanë humbur.

Por, si iu dha kompanisë A.L Dushi Shpk”(UPS) ky tender?

Fillimisht, tenderi i kësaj kompanie ishte shpallur i pasuksesshëm dhe me kontratë ishte shpërblyer kompania “3P SH.P.K”, e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë. Kjo kompani kishte ofertuar me çmim me poentim 233 euro e 40 centë, që pastaj duket se ishte kthyer në problem, meqë ishte cilësuar “abnormalisht i ulët”.

“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar (tenderin me çmimin më të ulët) si përgjigje ndaj (njoftimit të kontratës) për aktivitetin e prokurimit të lartcekur. Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj 233.40(çmim me poentim) dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit”, thuhej në njoftim.

Kompania “A.L Dushi Shpk” kishte paraqitur më pas kërkesë për rishqyrtim kundër njoftimit mbi vendimin e MPJ’së qe e kishte shpallur fituese kompaninë “3P SH.P.K”. Kërkesa ishte aprovuar pjesërisht dhe tenderi ishte kthyer në rivlerësim.

Më pas, MPJ e kishte shpërblyer në kontratë “A.L Dushi SH.P.K”, “me çmim më të lirë të përgjegjshëm prej 1,304.55”, ndonëse kompania tjetër kishte ofertuar me çmim shumëfish më të ulët.

“3P SHPK”, kishte autorizuar më pas Shoqërinë e Avokatëve Sejdiu&Qerkini”, që të paraqes Kërkesë për rishqyrtim të letrës standard për tenderuesin e eliminuar, duke e cilësuar si tërësisht të pabazuar.

“Parashtruesi thekson faktin se ai është një ndër kompanitë më të njohura dhe më të suksesshme në botë, sa i përket shërbimeve postare dhe rrjedhimisht ka një rrjet të madh të logjistikës që kësaj kompanie i mundëson dërgimin e ofertave që në krahasim me operatorët e tjerë, mund të duken si jo – normalisht të ulëta, por që në fakt ato janë oferta të vërteta dhe me anë të së cilave, Parashtruesi është zotuar dhe zotohet se do të përmbush tenderin”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.

Lexo edhe:  Edhe sot vazhdon testimi në qarkoren njëkahëshe në Prishtinë

Kjo kërkesë është refuzuar nga MPJD. Ky rast më pas ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Eksperti shqyrtues i kishte propozuar panelit shqyrtues që ankesa e “3P shpk” është pjesërisht e bazuar; të anulohet njoftimi mbi vendimin e AK’së i datës 13.03.2024 dhe të anulohet në tërësi aktiviteti i prokurorit, sipas përshkrimit të mësipërm.

Pavarësisht propozimit, Organi Shqyrtues i Prokurimit, më 3 qershor, ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e kësaj kompanie.

“1. Refuzohet si e pa bazuar ankesa e OE “3P Sh.P.K”, me nr.2024/264, e datës 25.03.2024, ndërsa vendimi i AK, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Shërbimet postare Diplomatike-Ritender” me nr. Të prokurimit: “216-23-1315-2-1-1” inicuar nga autoriteti kontraktues “Ministria e Punëve të Jashtme, mbetet më fuqi.

2. Konform nenit 31 paragrafi 5 i Rregullores së Punës së OSHP, konfiskohen mjetet e depozituara në emër të tarfiës ankimore dhe të njëjtat kalojnë në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhej në vendim.

Kompania e njëjtë që ka fituar tenderin nga Ministria që udhëhiqet nga Donika Gërvalla, “A.L Dushi SH.P.K”, e kishte fituar një tender edhe nga Zyra e Presidentes Vjosa Osmani, në vitin 2022, kontratë e cila sipas dosjes së tenderit, ka përfunduar më 26 maj të këtij viti.

Kontrata kishte qenë në vlerë 6 mijë e 500 euro për “shërbime emergjente postare”.