Skandal në një shkollë të Deçanit: Mësuesi kapet duke puthur nxënësen e klasës së shtatë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Deçan. V.S, mësimdhënës në këtë shkollë është arrestuar pasi ai është incizuar duke e puthur një nxënëse të klasës së shtatë.
Një video që ka siguruar mediumi “Paparaci”, mësimdhënësi me inicialet V.S., është incizuar duke e kryer këtë akt brenda objektit të shkollës.
Burime nga ky medium kanë konfirmuar se ky incident ka ndodhur javën e kaluar.
Në pamjet e publikuara shihet mësuesi duke kryer këtë veprim në një nga klasat e shkollës.
Ndërkohe, Gazeta Insajderi konfirmon se mësuesi është ndaluar për 48 orë.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, njoftoi se ai po dyshohet për veprën “Sulm Seksual”.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Sulm Seksual’. Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, ndaj të pandehurit do parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, deklaroi Nikçi për Insajderin.