Skandal: Në Jarinjë e Bërnjak u dërguan policë me sëmundje kronike, i nxori KFOR-i nga bllokada
KFOR-i ka thënë se nëntë policë të cilët kanë patrulluar në pjesët e barrikaduara në veri të vendit janë larguar nga atje.
KFOR ka bërë të dituar se policët të cilët janë transportuar nga veri në pjesën tjetër kanë qenë të sëmurë.
“KFOR-i është në kontakt të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe për t’i përkrahur ata kemi transportuar 9 policë të cilët janë ndjerë të sëmurë”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Kanal10.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
Zeqiri tha se policët që janë dërguar në veri të Kosovës kanë qenë me sëmundje kronike.
Ai tha më tej për Insajderin se bëhet fjalë për policë të moshuar, dhe gra police të cilat kanë fëmijë.
“Policët janë tërhequr sonte me asistim të KFOR-it. Këta policë kanë qenë më sëmundje kronike, jo policë që janë sëmurë aty apo prekur nga ndonjë sëmundje tjetër. Prej tyre janë 6 meshkuj, 3 femra, nëna që kanë fëmijë të vogël por kryesisht policët që janë tërhequr kanë qenë me sëmundje, me terapi dhe më të moshuar. Kjo ka qenë arsye pse ka kërkuar menaxhmenti që të tërhiqet stafi që të mos rrezikohet më shumë shëndeti i tyre”, ka thënë Zeqiri.
Policët në veri të vendit tash e 11 ditë kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitare përtej barrikadave, kjo gjë ka ngritur shqetësimet e Sindikatës së Policëve dhe partive opozitare.
Kujtojmë se tash e 11 ditë në veri të Kosovës janë vendosura barrikada nga serbët lokalë, në rrugët që të çojnë në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si shenjë proteste për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq.