Skandal: 40 vjeçarja nga Podujeva u operua për kancer, por i doli vetëm zorra qorre

Në fillim të 2025-ës, Shukrije Mehmeti nga Podujeva përjetoi një sërë dhimbjesh të forta në bark. Ajo u lajmërua në spital dhe u referua për bërjen e analizave të ndryshme. 

Por ajo çfarë pasoi më vonë, sipas saj, ishte një seri gabimesh mjekësore, që kulmuan me një operacion të hapur për heqjen e kancerit që asnjëherë nuk ka ekzistuar.

Nëna e tre fëmijëve u pranua në repartin e gastroenterologjisë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK). Aty, mjekët filluan me analiza të ndryshme, si kolonoskopi, gastroskopi dhe u morën biopsi për të analizuar gjendjen e saj, raporton Kiks Kosova.

Sipas 40 vjeçares, këto rezultate nuk ishin të sakta, ngase kishte mospërputhje mes tyre.

Dhimbjet zonja Mehmeti i kishte të vazhdueshme e që nuk pushonin. Ky presion e shtyu që të kërkonte ndihmë në një spital tjetër.

Aty, gjendja e saj u përkufizua si e nevojshme për futje në operim dhe bazuar në dokumentet e mëparshme, mjekët vendosën ta fusin në sallë operative në repartin e kirurgjisë.

Në rrëfimin e saj, zonja Mehmeti tregon se kirurgu ishte përgatitur të hiqte kancer nga trupi i saj, e edhe prerjen e barkut e bëri për atë qëllim, por e pa që aty s’kishte kancer, raporton klan kosova.

Problemi i vetëm ishte zorra qore. Ajo shton se kirurgu nuk e bëri mbylljen e prerjes por prej aty hoqi zorrën qorre në mënyrë që mos të bëhej dy herë operim.

Krejt kjo situatë po ndodhte pa njohurinë e plotë nga pacientja.

Kjo ngase bashkëshorti i saj kishte vendosur që mos t’i tregonte se po dyshohej për kancer. Këtë e kuptoi tek pas operimit.

Por për këtë gabim që ndodhi ndaj saj, ka thënë që nuk e di se a ia ngatërruan analizat apo doktorët gabuan në vlerësimin e tyre.

Lexo edhe:  Pretenduan se ka vdekur – reagon Adriana Matoshi

Pas operacionit, ajo thotë se përjetoi trauma të mëdha emocionale. Mjekët, për të vërtetuar se nuk kishte tumor, e ftuan sërish për një kolonoskopi tjetër, pa anestezion sipas saj, për ta konfirmuar njëherë e mirë.

Pas gjithë kësaj situate, ajo u përball me gjendje të rënduar psikologjike dhe u detyrua të kërkonte ndihmë nga psikiatri. Nuk është hera e parë që ajo thotë se ka kërkuar drejtësi.

Edhe në vitin 2023 kishte pasur një rast të ngjashëm, por autoritetet nuk kishin ndërmarrë asnjë hap konkret.