S’ishte kurrë as student mjekësie, aktakuzë ndaj kosovarit që punonte mjek pa diplomë
Një person ën Ferizaj ka ushtuar profesionin e mjekut, pa pasur diplomë universitare. Madje ai s’kishte qenë kurrë as student mjekësie. I njejti kamufloi gjithçka për ta ushtruar këtë profesion në mënryë të kundërligjshme, por u zu nga shteti.
Lexojeni të plotë njoftimin e prokurorisë në lidhje me këtë rast
Aktakuzë ndaj personit që ushtroi profesionin e mjekut pa diplomë të Fakultetit të Mjekësisë
Ferizaj, 30 Qershor 2025 –Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.R., nga Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”,“Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në periudhë kohore nga data 04 Korrik 2016 deri më datë 10 Dhjetor 2024, në Ferizaj, rruga, “Nora Kelmendi”, përkatësisht në ordinancën “Almed”, dhe në ordinancën “Almedica”, i pandehuri në vazhdimësi pa pasur kualifikimet profesionale dhe autorizime ligjore, ka kryer trajtime mjekësore dhe shërbime farmaceutike në kundërshtim me rregullat dhe standardet e mjekësisë të përcaktuara sipas dispozitave shëndetësore, në atë mënyrë që pasi që ka përpiluar diplomën me përmbajtje të rreme, sikur të ishte e lëshuar nga Fakulteti i Mjekësisë në kuadër të Universitetit të Tiranës, përkundër faktit që nuk ka qenë asnjëherë i regjistruar si student dhe nuk ka përfunduar ndonjë program studimi, dhe në dijeni të kësaj rrethane ka themeluar dhe regjistruar fillimisht ordinancën “Almed” në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, dhe më pas ka ri – regjistruar të njëjtën veprimtari në emër të djalit të tij ordinancën “Almedica”, duke vazhduar të ushtrojë veprimtarinë mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, duke u prezantuar si mjek i diplomuar, duke përshkruar terapi mjekësore, si dhe duke përdorur titullin Internist – Endokrinolog dhe faksimilin në të cilin figuron emri i ordinancës, duke krijuar kështu përshtypjen e një ordinance të ligjshme mjekësore, ku ka ofruar shërbime shëndetësore si mjek i përgjithshëm pa poseduar licencë valide nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe ka disponuar barna me afat të skaduar, ndërsa me datë 30.05.2025, përkundër faktit që Inspektorati Shëndetësor ka vendosur shenjat zyrtare për ndërprerje të punës, deri në pajisje të licencës nga Ministria e Shëndetësisë, i pandehuri heq shenjën zyrtare me qëllim të vazhdimit të veprimtarisë së kundërligjshme mjekesore, me të cilën ka kryer veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së, dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” nga neni 406 i KPRK-së.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.