Si kishte ndodhur vrasja e mërgimtarit në Viti, çfarë thoshte babai i viktimës
Besnik Rexhepi është dënuar me 30 vite burgim për vrasjen e 25-vjeçarit Arbnor Rama në Viti. Vrasja e rëndë kishte ndodhur në korrik të vitit të kaluar, teksa në atë kohë ishte deklaruar për media edhe babai i viktimës.
Sipas babait të viktimës, Isa Rama, djali i tij kishte ardhur në Kosovë nga Zvicra katër ditë para se të vritej dhe se kishte punuar me vëllain e dorasit, me të cilin kishin pasur një zënkë të vogël, por jo për të përfunduar me fatalitet.
“Detajet tani po i mësojmë, por diçka konkrete nuk kemi pasur, jemi familje e qetë nuk kemi pasur qasi ngjarje, kanë punu jashtë bashkë më vëllain e tij, kanë pasur njëfarë zënkë të vogël dhe kur kanë ardhur këtu, unë nuk kam pasë njohuri për kaq incident të rëndë me fatalitet, por qe qysh na përcjell gëzimi, dhe na shndërrohet ne tragjedi. I kam prit që dy vite me ardhe, e me erdh për me shku në arkivol”, kishte deklaruar atëkohë babai i Viktimës në Kanal10.
Tutje Isa thoshte se kishe biseduar me Arbnorin, por se ky ishte një problem i vogël, i thjeshtë.
“Problem i vogël i thjeshtë kurrgjë diçka i theksueshëm jo , problem aty për aty, kemi bisedu, i kam thanë është shumë problem i vogël as mos e diskuto këtë punë se sja vlenë, unë du me ardhë në pushim, merre nusen edhe du pushim të qetë, edhe ka ardhë, që katër ditë, dje i ka ardhë gruaja, sot në arkivol.
Isa rrëfente se nuk e ka ditur që Arbnori do të takohej me dorasin.
“Nuk e kam ditë që Arbnori, do të takohet me dorasin, sepse ka qenë problem i vogël, dhe se nuk ka bisedu për këtë, e jo me dalë me u gjuajt me dy tri kerre sikur në Teksas, dhe dhashtë zoti rasti i fundit koft”, tha Rama.
Gjykata Themelore e Gjilanit njoftoi sot se Besnik Rexhepi u gjet fajtor për kryerjen e dy veprave penale; vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Trupi gjykues ka shqiptuar dënim ndaj të akuzuarit në kohëzgjatje prej 30 vjet burgim.
Siç njofton gjykata, transmeton Express, “me datë 13.07.2021, rreth orës 11:00, në rrugën “Kemal Azizi” në Komunën e Vitisë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. R. nga Vitia. Pas një konflikti fizik në mes pandehurit dhe dy viktimave A. R. dhe B. B., të njëjtit janë takuar përsëri përball Shkollës “Hoxhë Jonuzi” në Viti, ku dy viktimat kanë ndal veturën e tyre, me shkopinj druri në duar, me qëllim që prapë të konfrontoheshin fizikisht me tani të pandehurin B. R., i cili në atë moment del nga vetura e tij dhe me armë zjarri – pistoletë të prodhimit Tisas Zig 14, gjuan nëntë herë në drejtim të tyre, me ç’rast i ndjeri A. R. nuk u mbijeton plagëve dhe ndërron jetë, ndërsa viktima B. B. mbetet i plagosur dhe dërgohet për kurim mjekësor në Spitalin e Gjilanit, ku më pas transferohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”.